Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Euractiv ka vlerësuar se instalimi i qendrave të pritjes në Ballkanin Perëndimor – sipas modelit të atyre që ka ndërtuar Italia në Shqipëri – nuk do të ishte zgjidhje, ndërkohë që i gjithë rajoni përfundimisht duhej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, sipas https://www.euractiv.fr/.
”Nëse do të ndërtoheshin qendra të reja paraburgimi në vendet e Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e personave të burgosur do të respektohen?”, pyet Albin Kurti duke theksuar se ”këto qendra do të rëndojnë në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit por edhe të atyre të BE-së”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së fundmi tha se ishte në favor të idesë së zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së duke shpjeguar se ishte e nevojshme të nxirreshin mësime nga marrëveshja italo-shqiptare.
”Mirëpritja e përkohshme e refugjatëve, nëse e kërkon urgjenca, sigurisht që është gjithmonë e mundur”, ka sqaruar kryeministri i Kosovës, por nuk bëhet fjalë për riprodhimin e modelit italian.
”Po flasim për qenie njerëzore për të cilët duhet të kujdesemi”, tha ai.
Pas marrjes së Kabulit nga talebanët më 15 gusht 2021, Kosova – si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – mirëpriti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane dhe të vendosur në bazat e NATO-s, përpara se të transferoheshin në vende të ndryshme perëndimore.