Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, përpara samitit Ukrainë – Evropa Juglindore që mbahet sot në Tiranë. Gjatë një konference të përbashkët për mediet, Hasani tha se Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.
Ministri tha se Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë “Plani me 10 pika i Presidentit Zelenski është mundësia më realiste për arritjen e paqes dhe bashkë me aleatë jemi të angazhuar për realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, tha kryediplomati Hasani.
Ministri deklaroi se janënë koordinim të plotë me të gjitha vendet partnere dhe aleate për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për Ukrainën. “Për më tepër, Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dy-vjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në KDNJ, apo edhe organizmat rajonale, ku këtë vit kemi edhe kryesimin e nismave të BSEC, CEI, Karta e Adriatikut”, u shpreh ministri Hasani.