Meteorologia Lajda Porja është shprehur se java që sapo ka nisur pritet të ketë një larmishmëri stinësh brenda ditës.Komentet Porja i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se gjatë kësaj jave do të ketë alternim të reshjeve të shiut dhe të ftohtit gjatë mbrëmjeve e mëngjeseve, me diell dhe temperatura të larta gjatë mesditës.Ajo tha gjithashtu se prej të martës pasdite reshjet e shiut pritet të intensifikohen, duke u shtuar dukshëm gjatë ditës së enjte.
Sipas Porjas, në disa zona malore ka pasur edhe reshje dëbore, për shkak të masave ajrore të ftohta që vijnë nga Poli i Veriut.
“Sot parashikohet që maksimumi të regjistrohet 27 gradë. Nesër pasdite parashikohet që të kemi një sistem vranësirash që do të sjellë reshje të martën pasdite, të mërkurën dhe të enjten. Të enjten do të rriten temperaturat, në zonat malore shkon në 10-11 gradë dhe maksimumi shkon në 28-29 gradë.
Do ta specifikoja një javë tipike vjeshte. Nga e marta e deri në fundjavë do të ketë reshje, kryesisht në zonat qëndrore dhe jugore. Orët e para të mëngjesit dhe mbrëmjet vonë do të jenë mjaft të freskëta. Do të kemi brenda 24 orëve një larmi të stinëve.
Të martën gjatë natës dhe të mërkurës do të kemi erë të fortë. Ka patur reshje të pakta dëbore në majat e maleve, për shkak se të shtunën dhe të dielën patëm një rënie të ndjeshme temperaturash. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e një mase të ftohtë që vjen nga Poli i Veriut duke u futur drejt Ballkanit”, tha Porja.