Qeveria përcaktoi kushtet e posaçme të licencimit dhe procedurat e pezullimit apo shfuqizimit të autorizimeve për prodhimin, importimin, eksportimin dhe transitin e artikujve piroteknikë. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve është institucioni përgjegjës që lëshon licencat e importit, eksportit dhe të prodhimit të artikujve piroteknikë, si dhe autorizimet për importin, eksportin, transitin e artikujve piroteknikë për operatorët ekonomikë kërkues. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për import ose eksport të artikujve piroteknikë, duhet të ketë në objektin e aktivitetit veprimtarinë e importit/eksportit të artikujve piroteknikë; të ketë të instaluara dhe funksionale sistemet për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin për ambientet e magazinimit; të ketë në ruajtje fizike ambientet e magazinimit të artikujve piroteknikë, me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike; të ketë drejtues teknik, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurimit teknik, trajnimit të personelit me rregullat e sigurimit teknik. Drejtuesi teknik duhet të jetë i pajisur me dëshmi zjarrmëtari, lëshuar nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës. Punonjësit e angazhuar për nevojat e operatorit ekonomik të plotësojnë kushtet e aftësimit shëndetësor, trajnimit, sipas kërkesave të ligjit “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve artikujve piroteknikë”. Personeli përgjegjës për magazinimin, asgjësimin e artikujve piroteknikë duhet të jetë i pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës; Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar duhet të gëzojnë besueshmëri për ushtrimin e aktivitetit me lëndët piroteknike, e cila vërtetohet nga dokumenti i besueshmërisë që përpilohet nga struktura e Policisë së Shtetit, ku shtetasi ka vendbanimin, në bazë të kërkesës së bërë nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar të operatorit ekonomik nuk duhet të jenë të dënuar për vepra penale. Në vendim përcaktohen edhe kushtet e licencimit për prodhimin e artikujve piroteknikë Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për prodhimin e artikujve piroteknikë, duhet të ketë në objektin e aktivitetit veprimtarinë e prodhimit të artikujve piroteknikë, si dhe t’i jetë nënshtruar procedurës për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të jetë i pajisur me vendim për vlerësimin e ndikimit në mjedis/deklaratë mjedisore që në fazën e projektidesë, si dhe të sigurojë lejet përkatëse mjedisore për prodhimin e artikullit piroteknik, përpara vënies në punë të instalimit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për lejet e mjedisit. Po ashtu, duhet të ketë në pronësi ose përdorim objektin ku do të ushtrojë veprimtarinë e prodhimit dhe magazinimit të artikujve piroteknikë; të përcaktojë projektin teknologjik të prodhimit, i cili duhet të jetë i miratuar nga një inxhinier projektues i licencuar dhe me eksperiencë në projektimin e linjave teknologjike; të ketë të instaluara dhe funksionale sistemet për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin për ambientet e prodhimit dhe magazinimit, si dhe të ketë në ruajtje fizike ambientet e prodhimit e të magazinimit me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike. Afati i vlefshmërisë së licencës për importin dhe eksportin e artikujve piroteknike është 5-vjeçar, i licencës për prodhimin e artikujve piroteknikë është 8-vjeçar, ndërsa afati i vlefshmërisë së autorizimeve për importin, eksportin dhe transitin e artikujve piroteknikë është 1-vjeçar.
Kriteret e licencave për prodhim dhe import të artikujve piroteknikë
RELATED ARTICLES