Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar shënoi një rritje të lehtë në muajin korrik. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, ky tregues u rrit në 5.28%, nga 5.2% që kishte qenë në muajin qershor. Sipas BSH-së, në një masë të madhe kjo rritje është ndikuar edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën e portofolit në valutë të huaj. Banka e Shqipërisë vlerëson se lëvizja e raportit të kredive me probleme deri tani ka qenë relativisht e ulët dhe e parë në një perspektivë të gjerë kohore, kjo luhatje konsiderohet brenda intervaleve të pranueshme. Ndërkohë vlera e portofolit të kredisë në muajin korrik zbriti në vlerën e 704.5 miliardë lekëve, rreth 9 miliardë lekë më pak krahasuar me qershorin.