Kredia e re për ekonominë shënoi rritje në muajin shkurt të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori bankar disbursoi 19.2 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 4.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për periudhën janar-shkurt, bankat dhanë gjithsej 35.8 miliardë lekë kredi. Ekspertët e bankave shprehen se, shifrat e kredisë së re, po i reziston rritjes së normave të interesit dhe shtrëngimit të ofertës. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në segmentin e individëve, ku kredia e re ka vazhduar të rritet edhe për 2-mujorin 2023. Për muajin shkurt, kredia e re për individë u rrit me 11.8 % me bazë vjetore, ndërsa për 2-mujorin rritja është pothuajse 18 %. Rritja ka ardhur kryesisht nga kredia për blerjen e banesave në euro. Ndërsa kredia e re për kompanitë private shënoi një rritje shumë të lehtë në muajin shkurt, por për 2-mujorin ajo paraqitet në rënie me 2.9 %. atsh