Republika e Maqedonisë së Veriut, si një vend nga Ballkani Perëndimor që është e kahëzuar drejt prosperitetit dhe zhvillimit, punon intensivisht në sigurimin e stabilitetit dhe pavarësisë energjetike për të cilat ka miratuar masa dhe modele në afat të shkurtër dhe afatgjatë, por edhe strategji të re për investime në energjinë e gjelbër, deklaroi sot kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski në Beograd, në panelin e diskutimit për mundësitë e investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin marrin pjesë investitorë nga Norvegjia. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është e fokusuar në sigurimin e stabilitetit energjetik në kushtet e krizës energjetike botërore, për të cilën ekziston një plan afatshkurtër që deri më tani është realizuar me sukses duke aktivizuar të gjitha kapacitetet për prodhimin vendor të energjisë elektrike. ”Por, vendi ka edhe një plan afatgjatë me të cilin ne përpiqemi për dekarbonizimin dhe synimin e asaj që e kemi, duke prodhuar energji elektrike nga era, dielli dhe uji”, theksoi ai. ”Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miratoi strategjinë për zhvillimin e sektorit energjetik në vitin 2019, bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Ne jemi vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në Osllome të Kërçovës, ku tashmë po ndërtojmë një termocentral 120 MW në vendin e një miniere të dikurshme të linjitit”, shtoi Kovaçevksi. ”Ky është një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe tregon një vullnet të fortë për dekarbonizimin e sektorit tonë energjetik dhe rrjedhimisht dekarbonizimin e ekonomisë sonë”, tha ai. Ai theksoi se qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut investon si askush tjetër në sektorin e energjisë dhe në projekte që në afat të mesëm dhe afatgjatë do të sjellin vetëm përfitime. ”Kjo shihet në angazhimin për tranzicionin energjetik të vendit, sepse është e ardhmja për pavarësinë energjetike të vendit, por edhe për të gjithë rajonin dhe për mbrojtjen e mjedisit”, përfundoi ai.https://ata.gov.al/2022/11/17/beograd-kovacevski-burimet-e-riperteritshme-te-energjise-e-ardhmja-e-ballkanit-perendimor/