Në këtë takim u prezantua vizioni i strategjisë së re për rajonin jugor të brendshëm ku përfshihet edhe qarku i Korçës me potencial për ekoturizmin në zonat e mbrojtura, trashëgimi të pasur historike, kulturore e kulinare që krijojnë mundësi për të plotësuar panoramën e Shqipërisë si destinacioni më i ri dhe tërheqës në Europë bazuar në investime, politika rregullatore dhe fiskale në turizëm, menaxhimin e destinacioneve, zhvillimin e produkteve turistike, marketingun e destinacioneve dhe ngritjen e kapaciteteve.

Gjatë takimit u bë gjtihashtu një vlerësim për arritjet dhe sfidat e këtij sektori dhe domosdoshmërisë për të forcuar sinergjinë e bashkëpunimit brenda e jashtë rajonit, në funksion të shtimit të numrit të turistëve vendas e të huaj dhe sigurimit të një turizmi gjithëvjetor.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha se “rajoni ynë përbën një pjesë mjaft të rëndësishme të destinacioneve turistike në vend. Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit, por edhe Devollit”.

Strategjia e re e turizmit mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: investimet, politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produktit turistik, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik.