Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e numrit të punonjësve me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë, të deklaruar në listëpagesat pranë organeve tatimore për muajin shtator 2025.
Vendimi parashikon që kompensimi financiar të jepet çdo muaj nga Drejtoritë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), në vendin ku subjekti zhvillon pjesën kryesore të aktivitetit.
Subjektet që kërkojnë të përfitojnë nga kjo skemë duhet të plotësojnë disa kritere, ndër të cilat të mos jenë në pronësi shtetërore apo ente publike dhe të mos kenë detyrime për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ndaj organeve tatimore në momentin e aplikimit.
Aplikimi për përfitimin e kompensimit do të kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, nga data 1 prill deri më 31 tetor 2026.
Sipas vendimit, masa e kompensimit do të jetë 16,7% e kontributeve të punëdhënësit, e llogaritur mbi diferencën e pagës për punonjësit që në shtator 2025 paguheshin nga 40 mijë deri në 49 999 lekë dhe që me rritjen e pagës minimale do të paguhen me 50 mijë lekë.





