Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me ambasadën franceze në Shqipëri, organizuan forumin e biznesit Shqipëri-Francë, me pjesëmarrjen e një delegacioni të rëndësishëm nga MEDEF International, kryesuar nga Christophe Petit.

Paneli i diskutimit mblodhi figura kyçe të ekonomisë shqiptare, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri, prezantoi delegacionin francez dhe shprehu gatishmërinë e palëve për bashkëpunim sa më frytdhënës.

Gjatë forumit u prezantuan potencialet e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe roli i Shqipërisë si një destinacion atraktiv për investime, ku delegacioni pati mundësinë e drejtimit të pyetjeve konkrete për panelistët.

Në vijim, u zhvilluan takime B2B mes bizneseve shqiptare dhe franceze, duke hapur rrugën e partneriteteve dhe mundësive të reja.