Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA Komanda e KFOR, Turqia do të udhëheqë misionin në Kosovë

 Komanda e KFOR, Turqia do të udhëheqë misionin në Kosovë

 Komanda e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë nga sot do të udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutas. Në kampin “Film City”, në Prishtinë, është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së deritanishme të gjeneralit, Angelo Michele Ristuccia dhe të atij turk. Në pranim dorëzimin e detyrës ka marrë pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Komandanti i ri i KFOR-it, Ozkan Ulutaş u shpreh se po merr komandën në Kosovë në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova, për çka u zotua se do të punojë me vendosmëri.

“Sot, në vitin e 24-të të një rrugëtimi të gjatë që filloi në qershor të vitit 1999, kam nderin të marrë komandën e kësaj force të shquar. Si komandanti i parë turk që mori përsipër këtë mision, e kuptoj rëndësinë e përgjegjësisë që kam marrë përsipër. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time për autoritetet kombëtare dhe të NATO-s, të cilët më besuan këtë detyrë. Përveç ndjenjave të larta dhe të fuqishme që krijojnë te individët të cilëve u janë besuar detyrat e rëndësishme, ato sjellin me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në këtë periudhë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon Kosova, po e marr komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, theksoi gjeneral Ulutaş.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, mori pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, në Napoli. Ai tha se së fundmi KFOR-i, ka intensifikuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe se janë duke forcuar funksionin e tyre si reagues i parë.

“Së dyti, KFOR-i ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Së treti, KFOR-i ka rritur forcën e trupave pas sulmit të 29 majit ndaj KFOR-it, forca e trupave u rrit me aktivizimin e forcës rezervë operacionale të batalionit mbi 600 trupa nga Turqia dhe më pas u lirua nga një batalion shumëkombësh i udhëhequr nga Greqia. Së katërti, KFOR-i ka rritur edhe më tej forcën e trupave, pas sulmit të 24 shtatorit kundër PK, me aktivizimin e kësaj force rezervë strategjike, duke ndihmuar një batalion nga Britania e Madhe dhe nga Rumania. Krahas kësaj force të trupave, ky batalion po sjell edhe armatim më të rëndë, për të pasur fuqi luftarake për KFOR-in. Dhe së fundi, NATO po mban forca të mëtejshme, të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi të mëtejshme luftarake në një gjendje të lartë gatishmërie që mund të vendoset nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, u shpreh ai.

Komandanti i deritanishëm, Angelo Michele Ristuccia u shpreh se gjatë mandatit të tij është operuar në menaxhim të përhershëm të krizave.

Sipas tij, KFOR punon për të ruajtur mjedis të qartë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, në mënyrë të paanshme.

“KFOR 27 ka operuar në një menaxhim të vazhdueshëm dhe të përhershëm të krizave. Aty ku ngjarje të shumta kanë sfiduar stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto kriza kanë kërkuar një … për të rivendosur një situatë më të qetë dhe më të ekuilibruar dhe një bashkëpunim të fortë me institucionet vendore. Situata është bërë më komplekse për t’u menaxhuar për shkak të një sërë faktorësh të përkohshëm, veçanërisht, mosbesimit midis partnerëve, çështjeve të gjata dhe të pazgjidhura, retorikës kundër produktive dhe narrativave partizane. Të gjithë këta faktorë konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet lehtësisht. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse KFOR-i mbështet plotësisht dhe vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja të mbështetur nga SHBA-të dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi ai.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës kanë marrë pjesë diplomatë të akredituar në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, krerë fetarë e figura tjera të larta shtetërore.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments