Koleksioni privat i Freddie Mercury do të dali në ankandin e titulluar “Freddie Mercury: A World of His Own”, në Sotheby’s, në Nju Jork. Artikujt paraqesin gjashtë periudha të ndryshme, secili kushtuar një aspekti të ndryshëm të jetës së tij, publike dhe private. Koleksioni përbëhet nga mbi 1500 artikuj të ruajtur në shtëpinë e tij “Garden Lodge” në Kensington, që ai e konsideronte mbretërinë e tij, dhe për më shumë se tridhjetë vjet që nga vdekja e tij në 1991, mbeti e paprekur. Për të ruajtur integritetin e shtëpisë, ato iu besuan Mary Austin, një nga mikeshave të tij më të afërta. Pasi e bleu në vitin 1980, Mercury e mobiloi me objekte të çmuara arti, disa të mbledhura gjatë udhëtimeve të tij, por qëllimi kryesor ishte ta bënte një fole ku të mund të kalonte disa momente me veten dhe rrethin e tij të miqve. Ndër objektet që do të dalin në ankand janë piktura, tekste këngësh të shkruara me dorë, kostume skenike. Ndër artikujt kryesorë të koleksionit është një kurorë e modeluar sipas Shën Eduardos, që do të mbahet nga mbreti Charles në ceremoninë e kurorëzimit të tij më 6 maj, dhe një mantel kadife ngjyrë të kuqe, gëzof sintetik dhe diamante artificiale. Mercury e veshi atë gjatë interpretimit të fundit të “God Save the Queen”, duke mbyllur koncertin e fundit live të “Queen”, në 1986. Ekspozita e koleksionit do të hapet në Londër më 4 gusht dhe do të mbyllet më 5 shtator, në ditëlindjen e 77-të të Mercury. Së pari, artikujt më të rëndësishëm do të ekspozohen në Nju Jork, Los Anxhelos dhe Hong Kong. atsh