Kina ka kthyer mbrapsht avionët që i ka porositur SHBA-së – në hakmarrjen e saj të fundit ndaj tarifave  të Trump, tha shefi i prodhuesit të avionëve “Boeing”, Kelly Ortberg, sipas BBC.

Ortberg tha se dy avionë tashmë ishin kthyer dhe një tjetër do të pasonte pas përshkallëzimit të tensioneve tregtare midis dy vendeve.

Shefi ekzekutiv i “Boeing” tha se 50 avionë të tjerë do të shkonin në Kinë këtë vit, por klientët e tyre kishin thënë se nuk do t’i dorëzonin ato.

SHBA-ja vendosi tarifa prej 145% për importet nga Kina dhe u kundërpërgjigj me një taksë prej 125% për produktet amerikane.

Duke folur në Zyrën Ovale, Trump tha se ishte optimist për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën, duke thënë se niveli i tarifave që ai kishte vendosur do të “uleshin ndjeshëm, por nuk do të ishte zero”.

Megjithatë, Ortberg tha se Kina në fakt e kishte ndalur dorëzimin e avionëve për shkak të mjedisit tarifor.

“Boeing” është eksportuesi më i madh i Amerikës me rreth 70% të shitjeve të avionëve të saj komercialë jashtë SHBA-së.

Ortberg tha se “Boeing” po vlerësonte opsionet për të ritregtuar 41 avionë të ndërtuar tashmë te klientët e tjerë pasi kishte kërkesë të lartë nga linjat e tjera ajrore.

“Janë nëntë avionë që nuk janë ende në sistemin e prodhimit të “Boeing”. Duam të kuptojmë synimet e tyre dhe nëse është e nevojshme, mund t’ua caktojmë klientëve të tjerë”, tha ai.

Ai shtoi se “Boeing” nuk do të vazhdojë të ndërtojë avionë për klientët që nuk do t’i marrin ato.

Brian West, shefi financiar i “Boeing” tha se politika e tregtisë së lirë është shumë e rëndësishme dhe se “Boeing” do të vazhdonte të punonte me furnitorët për të siguruar vazhdimësinë.

“Boeing” ka raportuar humbje të vogla në tremujorin e parë të vitit pasi prodhoi dhe dorëzoi më shumë avionë.

Prodhimi regjistroi rënie në vitin 2024 për shkak të një sërë krizash dhe një greve nga rreth 30,000 punonjës amerikanë të fabrikës.

Ajo kërkon të rrisë prodhimin e avionëve të saj 737 MAX në 38 në muaj në 2025.