Kina u bën thirrje palëve të përfshira në krizën në Ukrainë që të pushojnë zjarrin dhe të angazhohen në dialog dhe konsultime për një zgjidhje paqësore, deklaroi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Wang Wenbin. Ky ragim i Kinës erdhi pas fjalimit me të cilin presidenti rus Vladimir Putin njoftoi përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme dhe mobilizimin e pjesshëm që parashikon aktivizimin e 300 000 rezervistëve, mes vështirësive të hasura në pushtimin e Ukrainës. ‘’Pozicioni kinez për krizën në Ukrainë është konsistent dhe i qartë”, theksoi zëdhënësi duke kërkuar “të gjendet një mënyrë për të adresuar shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve”. Sot presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që urdhëron mobilizimin e pjesshëm të forcave të armatosura ruse, i cili do të fillojë sot. Putin e mori vendimin me një propozim nga ministria e Mbrojtjes. Masa erdhi një ditë pasi separatistët e mbështetur nga Moska njoftuan planet për të mbajtur referendume për bashkimin me Rusinë në rajonet e pushtuara të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhya më vonë këtë javë, duke shkaktuar dënime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar. Ai erdhi gjithashtu pasi forcat ukrainase vazhduan një varg suksesesh të fundit duke rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit. ‘’Rusia ka mobilizuar 300 000 rezervistë për kontrollin e luftës në Ukrainë’’, deklaroi ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu.https://ata.gov.al/2022/09/21/fokus-kina-ben-thirrje-dialog-pas-fjalimit-te-putinit/