Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKESH: Kilovati 10 herë më i lartë

KESH: Kilovati 10 herë më i lartë

Evropa po përballet me një krizë të paprecedentë energjetike, ku vendet më të varfra, si Shqipëria, preken më shumë, për shkak të rritjes galopante të çmimeve. Edhe pse Shqipëria e siguron vetë një pjesë të konsiderueshme të energjisë, sipas administratorit të KESH sh.a., Ergys Verdho, kjo nuk mjafton dhe vendi ynë ka herë pas here nevojë të importojë energji. Që në fund të 6-mujorit të parë të 2021-shit u pa qartë se energjia nuk do të ishte më në nivelet e periudhës së pandemisë dhe se thatësira në 6-mujorin e dytë do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat në rreth 48% të kapaciteteve gjeneruese mbështeten tek burimet ujore. 8-mujori i parë i 2022-shit u karakterizua nga një situatë jo e favorshme hidrike. Prurjet mesatare në liqenin e Fierzës për 8-mujorin e parë të vitit 2022 rezultojnë rreth 141 m3/s ose 28 % më pak se mesatarja shumëvjeçare (1993-2021). Ndërsa në krahasim me një vit më parë (2021), prurjet e vitit 2022 ishin 51% më të ulëta me 287 m3/s për të njëjtën periudhë. Sasia mesatare e reshjeve të rëna në pellgun ujëmbledhës të Fierzës gjatë këtij 8-mujori ka qenë 380 mm, ose rreth 35% më pak nga 580 mm që bien mesatarisht në ketë pellg ujëmbledhës për të njëjtën periudhë. Niveli në liqenin e Fierzës sot rezulton në kuotën 267 mmnd, pra rreth 5 m më i ulët krahasuar me një vit më parë (2021), kur niveli ka qenë 272 mmnd ose mbi mesataren e nivelit në vite me pak prurje apo vite të thatë. Ecuria e treguesve të importit dhe situata financiare nuk rezultoi optimiste gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2022. Si pasojë e situatës jo të favorshme hidrike, prodhimi për këtë periudhë rezultoi në 1,711 GWh ose 28% më pak krahasuar me 2,377 GWh të prodhimit shumëvjeçar për të njëjtën periudhë. Indikatori “Shpenzime operative fikse/GWh të prodhuar” rezultoi në vlerën 415 mijë lekë/GWh të prodhuar ose rreth 28% më pak se referenca 5 vjeçare prej 529.53 mijë lekë/GWh, çka tregon për rritje të eficiencës operacionale të Korporatës. Por edhe pse KESH ka bërë më të mirën e mundshme për mirëmenaxhimin e burimeve të brendshme të energjisë elektrike, ku kapacitetet gjeneruese janë në disponibilitetin 100 % të tyre, si kurrë ndonjëherë më parë në një vit të thatë, sërish shpresa për katër muajt e ardhshëm mbetet te reshjet, duke qenë se ky vit nuk ka qenë aspak i favorshëm në këtë drejtim. Administratori i KESH pohon se Shqipëria nuk do të importojë energji pa shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e veta. “Nëse nuk ka shi, niveli i ujit në basen bie dhe Shqipëria do të jetë e detyruar të dalë në bursë për të blerë energji, një energji që aktualisht është tej mase e shtrenjtë. Tregjet e energjisë shfaqen me luhatje dhe pasiguri te mëdha, si pasojë e asaj që njihet si “rocketprices”. Aktualisht HUDEX (HUPX Future) parashikon çmime në nivele 550-750 Eur/MWh për periudhën e mbetur të vitit 2022, ndërkohë që në javën e kaluar çmimet paraqiteshin me vlera deri në 1000 euro/MWh, çka e bën edhe më të vështirë e të paparashikueshme të ardhmen e afërt”, theksoi Verdho. Sigurisht që Shqipëria e prodhon energjinë nga HEC-et e kaskadës, por volumi i ujit për të prodhuar energji është i varur nga prurjet dhe reshjet, të cilat nuk janë lëndë e parë konstante për prodhim, pasi janë në varësi të motit. “Për ta kuptuar me shembull, në 2021, KESH prodhoi mbi 5 terravat energji; duke i shtuar dhe prodhimin e HEC-ve private, kjo shifër arriti në 8.9 terravat prodhim të brendshëm të energjisë, ndërkohë që konsumi total i vendit për 2021 ishte 8.4 terravat, që është dhe rekord historik për konsumin në vendin tonë. E parë kështu, në shifra e tabelë, të le të kuptosh që ne nuk kemi nevojë për import, sepse e prodhojmë vetë energjinë. Por jo, sepse prurjet janë të përqendruara në sezone dhe energjia e prodhuar nuk “magazinohet”. KESH-i është i detyruar të administrojë një rezervë optimale të energjisë në Fierzë, e cila nuk është e mjaftueshme për gjithë muajt e vitit e nëse rezulton një vit i thatë hidrik, për një % rreth 30-40 të konsumit, jemi të detyruar t’i drejtohemi importit në kushtet e sotme”, nënvizoi Verdho. Por pavarësisht situatës së vështirë hidrike në vend dhe rritjes galopante të çmimeve të energjisë së importit, administratori Verdho, deklaroi se nuk do të ketë rritje çmimi për familjet shqiptare. Ai shtoi se informacionet që qarkullojnë në media në lidhje me këtë argument janë spekulime për interesa politike. “Në vend të rritjes së çmimit, aktorët përgjegjës (si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, KESH-i, OSSHE-ja, OST-ja, ERE (Enti Rregullator i Energjisë) dhe Drejtoria e Eficiencës së Energjisë) po marrin masa për kursimin e energjisë. Hapi i parë është fushata ndërgjegjësuese për kursimin e energjisë. Qeveria ka caktuar një fashë bazike prej 800 kilovatorë konsum në muaj, një fashë që përfshin rreth 96% të abonentëve. Në këtë mënyrë nuk preken shtresat në nevojë. Kush konsumon më shumë se kjo fashë, do të paguajë më shumë, pasi energjia e siguruar përmes importit kushton sot 10 herë më shumë se çmimi me të cilin i faturohet konsumatorit”, tha ai. Verdho theksoi se “shteti shqiptar sot, me fashën 800 kilovatorë, ashtu siç ka subvencionuar deri tani, do të vazhdojë të mbulojë një kosto reale të energjisë, e cila është sa 3 herë çmimi aktual që paguajmë në faturë. E për sa i përket vetëm çmimit të importit, sot kilovati i energjisë së importit kushton 95 lekë, pra dhjetë herë më i lartë nga sa paguajmë. Dhe këto kosto i mbulon shteti. Asnjë shtet tjetër në botë nuk e bën këtë”, u shpreh Verdho, duke u bërë thirrje shqiptarëve të kursejnë, ndërsa rendit dhe masat e investimet e bëra si: masat për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë; investimet për sigurinë dhe eficiencën e veprave hidrike, për mirëmbajtjen dhe funksionimin normal të aseteve gjeneruese dhe shtimin e tyre, ndër të cilat mund të përmendet aseti fotovoltaik në Vaun e Dejës dhe aseti gjenerues termik i përkohshëm”. Projekt afatgjatë është edhe Skavica, e cila do të përfundojë brenda vitit 2030. Depozita e ujit prej 2.1 miliardë m3 ujë, do jetë në dispozicion të KESH-it dhe do përdoret gjatë muajve të thatë. Në listën e investimeve afatshkurtëra është edhe prodhimi i energjisë nëpërmjet centraleve lundruese: në portin e Vlorës kanë mbërritur platformat që do të gjenerojnë energji, të cilat do të shërbejnë si garanci për furnizimin gjatë muajve të dimrit, si dhe do të ulin ekspozimin financiar të KESH ndaj çmimeve të importit.https://ata.gov.al/2022/09/13/administratori-i-kesh-kilovati-i-energjise-se-importit-sot-ne-treg-10-here-me-i-larte/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments