Gjatë muajit tetor, Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Këlnit dhe Universitetin e Nju Jorkut në Buffalo (SHBA), ndërmorën kërkime arkeologjike në kuadër të projektit “Kontekstualizimi i Neolitit në fushën e Korçës”, nën drejtimin e Dr. Edlira Andoni, Dr. Jana Anvari dhe Dr. Patrick Willet. Nëpërmjet vëzhgimeve sipërfaqësore dhe studimit gjeofizik, ky projekt synon të përcaktojë madhësinë dhe strukturat e vendbanimeve neolitike në fushën e Korçës, si dhe raportin që kanë këto vendbanime me peizazhin. Vëzhgimi sipërfaqësor i hapësirës së vendbanimeve neolitike i parapriu studimit gjeofizik me qëllim përcaktimin e vendndodhjeve të vendbanimeve neolitike. Nëpërmjet studimit gjeomagnetik synohet të përcaktohen veçoritë kryesore arkitekturore të vendbanimeve nën sipërfaqe, shtrirjen e tyre, evidentimin e kanaleve rrethuese, gropat e mëdha dhe banesat e djegura, pa kryer gërmime arkeologjike. Pas përpunimit të të dhënave të studimit gjeofizik, rezultatet do të prezantohen në konferencën vjetore të Institutit të Arkeologjisë. Materiali arkeologjik i grumbulluar dhe përpunimi i tij paraprak kanë ofruar informacion jo vetëm për praninë e vendbanimeve neolitike, por edhe të periudhave të tjera prehistorike dhe historike. Pjesë e rëndësishme e ekipit ishin studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës dhe studentë të Departamentit të Arkeologjisë të Universitetit të Këlnit.http://ata.gov.al/2022/11/02/kerkime-arkeologjike-ne-fushen-e-korces/