Keni bërë plane për fundjavë? Meteorologu tregon se si do të jetë moti | ABC News Albania

0
34

Dita e shtunë dhe e diel do të jenë nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, duke krijuar mundësi për reshje shiu dhe dëbore. Meteorologu Hakil Osmani thekson se reshjet e shiut do të nisin pasditen e së shtunës në zonat jugore dhe më pas në orët e vona do të përfshijnë gjithë vendin. “Intervale kthjellimesh dhe kalime vranësirash gjatë ditës së sotme, ku më të dukshme do të jenë në pjesën e dytë të ditës, duke krijuar mundësi për momente të pakta me pika shiu. Maksimumet ditën e sotme pritet që të jenë rreth vlerës 17-18 gradë celcius. E shtuna, në pjesën e parë të ditës do të jetë me mot të qëndrueshëm, me intervale me kthjellime por pjesa e dytë e ditës do të zhvillojë vranësirat duke krijuar mundësi për reshje shiu. Herë pas here në formën e rrebesheve. Si fillim do të jenë prezente gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes në zonat jugore dhe më pas në orët e vona të natës, parashikohet që të përfshihet i gjithë territori shqiptar. Maksimumet gjatë të shtunës do të kenë një rritje të ndjeshme, duke bërë që të regjistrohet vlera edhe 19 gradë në mesditë dhe 3 gradë në orët e para të mëngjesit në zonat lindore. Parametri i erës gjatë të shtunës do të jetë mjaft problematik, me një shpejtësi 75 km/orë, duke bërë që të kemi problematikë sa i përket trafikut detar. E diela mbetet në mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira, reshje shiu e dëbore në zonat malore pasi do të kemi një rënie të temperaturave, duke bërë që vlerat në qytetet e zonave malore të zbresin në 1 gradë ndërsa në maksimumet në orët e mesditës, në zonat perëndimore pritet të jenë në 15 gradë.“, tha ai. Rajoni do të ketë mot të qëndrueshëm të shtunën ndërsa e diela do të ketë dëborë në një pjesë të mirë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe zonave lindore në Mal të Zi.

“Sa i përket vendeve të rajonit, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, gjatë ditës së sotme por po ashtu edhe paraditen e së shtunës mbeten në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, duke bërë që të ketë intervale me kthjellime dhe kalime vranësirash. Temperaturat e ajrit të shtunën do të kenë rritje, duke bërë që maksimumet në Kosovë të regjistrohen në 15 gradë në Gjakovë dhe 16 apo 17 gradë në Manastir në Maqedoni ndërsa në Malin e Zi në zonat perëndimore presim maksimume edhe në 17 gradë. E diela sjell rënie të temperaturave të ajrit. Maksimumet në Kosovë do të kenë rënie me 3 gradë, duke regjistruar 11 gradë, dhe 12 gradë në Maqedoni. Ndërsa në zonat perëndimore të Malit të Zi pritet që të kemi temperatura në 13 gradë celcius. E shtuna në orët e vona të saj do të sjellë zhvillime të vranësirave, reshjet e shiut si fillim do të jenë prezente në Kosovë dhe Maqedoni dhe Malin e Zi, por e diela, si pasojë e rënies së temperaturave do të shfaqë edhe dëborë në një pjesë të mirë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe në zonat lindore të Malit të Zi.”, u shpreh Osmani./abcnews.al