Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTKalendari kuqezi për kombëtaret e moshave dhe vajzave

Kalendari kuqezi për kombëtaret e moshave dhe vajzave

Muaji shkurt do të shohë në aksion një pjesë të madhe të ekipeve Kombëtare të moshave si dhe Kombëtaren e vajzave në futboll, që do të jenë të angazhuara në disa ndeshje miqësore ndërkombëtare dhe grumbullime në kuadër të përgatitjeve për turnetë apo aktivitetet e ardhshme. Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF ka përgatitur ndërkohë kalendarin e detajuar për të gjitha ekipet Kombëtare të moshave, që përfshin ekipet U-15, U-16, U-17, U-19 dhe deri te Kombëtarja e vajzave. E para që nis impenjimet në këtë fushatë 1-mujore është Kombëtarja U-17 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, që të dielën e 12 shkurtit do të startojë grumbullimin për dy miqësoret e programuara me Bosnjë-Hercegovinën U-17. Siç është bërë e ditur Shqipëria U-17 do të zhvillojë këto dy teste me të parin që luhet më datë 15 shkurt në stadiumin “Niko Dovana”, duke filluar nga ora 15:00, ndërsa sfida e dytë do të zhvillohet më datën 17 shkurt në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 11:30. Kombëtarja U-17, e përbërë nga lojtarët e vitlindjes 2006 e që do të jetë e grumbulluar për 6 ditë në Durrës, do të ketë mundësinë kështu të përgatitet sa më mirë për sfidat e marsit, ku do të jetë e impenjuar në ndeshjet e fazës Elite Round të Europianit të kësaj grupmoshe. Pas këtyre dy miqësoreve, më datën 18 shkurt grumbullohet Kombëtarja U-16 me lojtarë të vitlindjes 2007 për t’u përgatitur për dy miqësoret e luksit ndaj Italisë U-16. Ekipi kuqezi dhe lojtarët që do të ftohen nis përgatitjet në Durrës për dy miqësoret që do të luhen në Shqipëri, më konkretisht e para më 21 shkurt në ora 17:00 në “Air Albania” dhe e dyta më 23 shkurt në ora 12:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Dy sfida mjaft të vlefshme ndaj një kundërshtari prestigjioz për të marrë përgjigjet e duhura nga elementët që do të grumbullohen. Sakaq, të hënën e 13 shkurtit do të grumbullohet edhe Kombëtarja U-15 me trajnerin Armand Damo që do të thërrasë një grup lojtarësh të spikatur të kësaj grupmoshe për t’i testuar e monitoruar nga afër. Grumbullimi do të jetë sërish në Durrës dhe do të zgjasë për tre ditë, ndërsa stafi teknik do të ketë mundësinë të shohë se si janë zhvilluar elementët e perspektivës që do të jenë pjesë e Kombëtares U-15. Ekipi i radhës i impenjuar sipas kalendarit është Kombëtarja e vajzave, që rikthehet në aksion pas eliminatoreve të Botërorit vitin e kaluar. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, vajzat e skuadrës kuqezi do të grumbullohen më datë 20 shkurt në Ulqin të Malit të Zi, ku do të stërviten për 7 ditë deri më datë 27 shkurt. Përveç se do të shohë gjendjen e lojtareve që përbëjnë bazën e ekipit, stafi teknik ka mundësinë të provojë edhe elemente të reja, që kanë potencial për t’u bërë pjesë e ekipit në kompeticionet e radhës. Fushatën kuqezi të shkurtit do ta kompletojë Kombëtarja U-19, që do të ketë gjithashtu një grumbullim 3-ditor në fund të muajit. Nga data 27 shkurt e deri më 1 mars, stafi teknik i ekipi kuqezi do të ketë në dispozicion lojtarët që do të ftohen me grumbullimin që do të jetë në Durrës. Trajneri Armando Cungu pritet të ftojë elementë të rinj të cilët kanë spikatur së fundmi, veçanërisht ata që luajnë jashtë vendit, dhe t’i testojë në mënyrë që të fitojë sa më shumë lojtarë të rinj për të ardhmen. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments