“Muzika nuk njeh gjuhë, nuk njeh kufij e largësi. Dhe një mbrëmje me muzikë të mirë është gjithnjë celebrim i së bukurës dhe shpirtit të një populli”, kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në përfundim të koncertit që u mbajt mbrëmë me muzikë greke, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë. Në koncert interpretoi këngëtarja Kleoniki Demiri, e cila në repertorin e saj kishte pjesë të kompozitorëve më të njohur grekë. Koncerti në Katedralen Ortodokse, mund të konsiderohet si një nga kulmet e Javës Kulturore Greke, që do vijojë me kulinari, sport, teatër e sërish muzikë. Java e Kulturës Greke vijon me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër të Dropullit, festival, i cili ditën e sotme zhvendoset në Tiranë. Programi i “Dropull Travels to Tirana”, parashikon që sot të shfaqen 4 filma të metrazhit të shkurtër, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Njëkohësisht aktivitetet e Javës Greke do të zhvillohen edhe në Finiq, ku sot do të performojë një grup muziko grek, këngë të zhanrit “rebetiko”. ATSH