Investimet që kapin vlerën e afro 15.5 milionë dollarëve do të jetësojnë një transformim të qëndrueshëm duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj. Kështu u theksua në takimin e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore për “Peizazhin e Mbrojtur Tokësor ujor të Pogradecit”, të zhvilluar në Drilon Pogradec nga Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole. Të ftuar në këtë takim ishin përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, bashkia Pogradec, Këshilli i qarkut, Universiteti i Korçës dhe Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Prefekti Jole tha se “lajmi i mirë janë ndërhyrjet që aktualisht po zbatohen në zonën e Drilon-Tushemishtit, financim i AADF 5.5 milionë dollarë, që do të rehabilitojë parkun ekzistues dhe do ta zgjerojë atë deri te burimet e Gurasit, ndërtimi i qendrës së vizitorëve, ndërtimi i 3 parkimeve publike, si dhe rikonstruksioni i fasadave të Tushemishtit”. Sipas tij, një tjetër investim është shëtitorja e Tushemishtit, financim i FSHZh 4 milionë dollarë. “Rruga Tushemisht-Doganë, financim i FSZH me vlerë 3 milionë dollarë dhe bajpasi i Tushemishtit si dhe financimi i Bankës Botërore nëpërmjet FSHZH me vlerë rreth 4 milionë dollarë.”, tha Jole. Prefekti Jole kërkoi nga institucionet masa të shpejta për hartimin e planit të ri të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura “Peizazhi i Mbrojtur Tokësor, Ujor i Pogradecit’, bazuar në rekomandimet e lëna nga UNESCO dhe raportim mbi problematikat e konstatuara në Zonën e Mbrojtur që lidhen me ndërtimet pa leje në Drilon, me ndotjen e liqenit të Ohrit dhe burimeve të tij ujore, me vend-depozitimin e ri për mbetjet e Dampës të Shllameve, shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, veçanërisht të peshkimit dhe lëndës drusore për ngrohje nga baseni i Liqenit. “Edhe treguesit e prezantuar në datë 27 shtator në takimin e zhvilluar me kryeministrin për Ditën Botërore të Turizmit, dëshmojnë për një tendence progresive të turistëve të huaj, fakt i cili e ka rritur kontributin e sektorit të turizmit në ekonominë kombëtare, nga 4% që ka qenë 10 vite më parë, në afro 17.5%”, nënvizoi Prefekti Jole. Prefekti Jole tha se edhe nënshkrimi i marrëveshjes për përdorimin e imazherisë satelitore, jep mundësinë e disponimit në kohë reale midis shumë imazheve në shërbim të institucioneve e agjencive shtetërore, edhe të situatës apo zhvillimeve në zonat e mbrojtura, çka e bën më të lehtë njohjen, menaxhimin dhe reagimin e nevojshëm. Pogradeci është një atraksion i përhershëm turistik ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.https://ata.gov.al/2022/09/30/investim-prej-15-5-mln-dollare-ne-pogradec-nderhyrje-dhe-ne-shetitoren-e-tushemishtit/