Dikur mësuesia ka qenë një ndër profesionet më të preferuara nga të rinjtë, sot nuk klasifikohet si i tillë. Shumë prej maturantëve me rezultate të larta nuk i përzgjedhin më degët e mësuesisë. Synimet e tyre janë të fitojnë ato degë që janë të mirë paguara dhe më të kërkuarat në tregun e punës. “Unë jam maturante në gjimnazin “Qemal Stafa” me mesatare mbi 9.5 dua të vijoj studimet për shkenca kompjuterike. Për mësuesinë nuk kam parë benefite financiare dhe për sa i përket vendit në zhvillim më shumë se sa mësuese”, tha një studente. Për këtë vit të ri akademik kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta 7122 student me mesatare mbi 8.5 dhe vetëm një përqindje e vogël e tyre kanë zgjedhur programet e mësuesisë. Drejtori i RASH, Arjan Xhelaj sqaron se duhet të aplikohen strategji të reja që edhe programet e mësuesisë të kërkohen në vazhdimësi. “Duhet parë një strategji tjetër që lidhet edhe me drejtorinë rajonale që shikohet mosha e daljes në pension, demografinë në zona të caktuara për të bërë një rikalkulim të nevojave të cilat duhet të reflektohen në kuota studimi”, tha Xhelaj. Të gjithë ata që përfundojnë studimet e larta për mësuesi vendin e punës nuk e kanë të sigurt. Atyre u duhet të kalojnë edhe njëherë në site nëpërmjet 2 provimeve të rëndësishme, siç është provimi i shtetit dhe portali mësues për Shqipërinë.