Instituti Italian i Kulturës sjell kinematografinë italiane në Tiranë

0
1

Instituti Italian i Kulturës do të nisë së shpejti një cikël kushtuar prodhimeve të kinematografisë italiane, me premtimin se çdonjëra histori e parë në këto filma, do të jetë si një udhëtim më vete, që do të na bëjë të përjetojmë emocione, kulturë dhe art.

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, kujtoi se ky cikël ka ardhur edhe herë të tjera në Tiranë.

“Do të nisim më 12 prill me filmin “Gloria” dhe më tutje do të vazhdojmë me filma që ndoshta janë edhe më interesante pasi kanë dalë në muajt e fundit në Itali”, u shpreh Ruggera në një prezantim të projektit, në rrjetet sociale. Ruggera veçoi filmin e animuar për fëmijë, “La bicicletta di Bartali”, si dhe workshop-in që do të zhvillohet me këtë rast në Universitetin e Tiranës, mbi filmat e animuar dhe efektet speciale në kinema.

Shfaqja e filmave do të nisë më 12 prill, në Kinema Millennium dhe hyrja do të jetë e lirë. Filmat do të jenë në italisht me titra në gjuhën angleze. Filmat e përzgjedhur janë: “Gloria” e Margherita Vicario; “La bicicletta di Bartali”; i regjisorit Enrico Paolantonio; “Il tempo che ci vuole” i regjisores Francesca Comencini; “Ciao bambino” i Edgardo Pistone; “Diamanti” i Ferzan Ozpetek; “La chimera” e Alice Rohrwacher.