Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTInfantino: Vit fantastik për futbollin shqiptar

Infantino: Vit fantastik për futbollin shqiptar

Pjesë e mbrëmjes Gala “Më të Mirët 2023” të organizuar nga FSHF, është bërë edhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili me anë të një videomesazhi ka vlerësuar arritjet e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar gjatë vitit 2023. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se “në vitin 2022, ne festuam 90-vjetorin e anëtarësimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në FIFA dhe ju mirëpritët finalen e një kompeticioni evropian për klube në kryeqytetin tuaj të bukur. Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e EURO 2024 – duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues. Epo, unë vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve, presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Sylvinho, të gjithë lojtarët dhe stafin që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni krenar vendin tuaj në Gjermani”. Infantino u ndal edhe te futbolli i vajzave, duke vlerësuar maksimalisht strategjinë e FSHF për futbollin e vajzave “Rising Stars 2023-2026”. “Sigurisht, me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh për FIFA-n dhe për futbollin e femrave. Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë e FIFA-s për femra deri më sot, dhe jam i kënaqur të shoh që Federata Shqiptare e Futbollit po fokusohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në futboll dhe ne po shohim progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt. E kam mirëpritur me entuziazëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”, që ju prezantuat kohët e fundit dhe dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja – imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në 2026-n dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas”, nënvizoi Infantino. Infantino u shpreh se “e di që e ardhmja e futbollit në Shqipëri është në duar të sigurta dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së qeverisë dhe Kryeministrit, mikut tim të dashur Edi Rama, dhe jam i sigurt që do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur, falë të menduarit në mënyrë inteligjente dhe krijuese dhe natyrisht, vendosmërisë dhe punës tuaj të palodhur. Dhe ju tashmë prisni kaq shumë zhvillime vitin e ardhshëm”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments