Secili prej nesh merr medikamente çdo ditë. Për ata me sëmundje kronike në veçanti, pirja e ilaçeve është pjesë e rutinës së përditshme. Por çfarë do të ndodhte nëse befas ndaloni marrjen e ilaçeve? Ndalimi i papritur mund të ketë pasoja shkatërruese, jo vetëm për sa i përket simptomave por ato mund të jenë potencialisht kërcënues për jetën.
Ilaçet për presionin e gjakut – Njerëzit që vuajnë nga hipertensioni ose presioni i lartë i gjakut, mund të marrin mjekime të rregullta për të mbajtur presionin e gjakut të qëndrueshëm. Këto mund të përfshijnë diuretikët, beta-bllokuesit, frenuesit ACE etj. Ndërprerja e menjëhershme e këtyre barnave mund të rrezikojë seriozisht shëndetin tuaj duke çuar në një rrezik më të lartë të goditjes në tru dhe dëmtim arterial, si dhe dështim të veshkave, probleme renale, apo edhe dëmtim të nervit optik.
Ilaçe për tiroiden – Njerëzit që marrin ilaçe për tiroidet, veçanërisht ata me hipertiroidizëm (tiroide tepër aktive) janë në rrezik të shkaktojnë një “stuhi tiroide” nëse e ndërpresin mjekimin papritmas. Simptomat e kësaj gjendjeje kërcënuese për jetën përfshijnë rrahje të shpejta të zemrës, ethe, të fikët dhe madje edhe koma.
Ilaçet kundër depresionit – Njerëzit të cilët janë diagnostikuar me depresion mund t’u përshkruhen ilaçe që ndikojnë në përmirësimin e simptomave të tyre. Megjithatë, disa njerëz ndjehen të tunduar të heqin dorë nga mjekimi kur fillojnë të ndihen më mirë. Ndërprerja e papritur e këtyre barnave mund të rezultojë në simptoma si marramendje, simptoma të ngjashme me gripin dhe ngërçe në stomak.
Hollues gjaku – Antikoagulantët, të njohur më mirë si hollues gjaku, merren për të holluar gjakun dhe për të parandaluar mpiksjen. Këto zakonisht përshkruhen si një masë parandaluese për njerëzit që janë në një rrezik më të lartë për të pasur një goditje në tru ose sulm në zemër. Nëse e ndërprisni marrjen e këtij medikamenti, rritet rreziku i mpiksjes së gjakut dhe për pasojë rreziku i goditjes në tru dhe/ose sulmit në zemër.
Pika sysh për glaukomën – Këto merren për të ulur presionin brenda syrit (presioni intraokular). Ndalimi i papritur i tyre do të çojë në një rritje të presionit intraokular, i cili mund të rezultojë në dëmtim të nervit optik dhe madje mund të çojë në verbëri.