Kisha, e cila i përket periudhës pasbizantine e tipit bazilikal, daton në shek. XIX-të,  pikturuar në vitin 1801 nga vëllezërit Çetiri.

Në vijim të inspektimit në terren, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po hartojnë projektin e restaurimit të kishës.

Ky projekt fokusohet në restaurimin e plotë të çatisë, injektime, restaurime dhe konsolidime në muraturë, restaurim i dyshemesë prej druri, kati i dytë i narteksit, realizimi i sistemit të drenazhit përreth kishës, restaurim i suvasë brenda dhe risuvatim i jashtëm, restaurim shkallë druri, dritare druri dhe F.V. dyer/dritare.

Një vend të veçantë në projekt zë edhe  restaurimi i pikturës murale, restaurimi i tavanit të drurit të dekoruar në naos, ikonostasit, si dhe karriget e drurit.

Gjithashtu do të pastrohet nga vegjetacioni dhe do të sistemohet territori përreth.

Kisha e “Shën Todrit”, e cila mendohet se është e dyta më e vjetër pas manastirit të Ardenicës mbart në vetvete jo vetëm vlera historike e fetare, por edhe arkitekturore.

Afreskët dhe të gjitha punimet e drurit të ikonostasit janë origjinale dhe unike në llojin e vet.

Në periudhën e mesjetës ka shërbyer si manastir e më vonë rreth viteve 1800 si kishë. Ky fakt vërtetohet nga konaqet që kanë shërbyer për bujtësit e manastirit përbri me objektin.