Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Raphael Mariano Grossi njoftoi se pas goditjes më 6 qershor të digës Kakhovka në rajonin Kherson të Ukrainës vazhdon të bie niveli i ujit që përdoret për të ftohur reaktorët në centralin bërthamor Zaporizhzhia.
Në një deklaratë me shkrim nga IAEA përfshihen deklaratat që Grossi ka bërë lidhur me situatën e fundit në centralin bërthamor dhe katastrofën pas goditjes së digës.
Ai tha se IAEA do të ofrojë ndihmën e kërkuar jetike në Ukrainë për kapërcimin e problemeve që ka shkaktuar katastrofa në digë. Grossi më tej ka ndarë informacionin se vazhdon të bie niveli i ujit që përdoret për ftohjen e reaktorëve që ndodhen në centralin bërthamor.
– Grossi do të vizitojë Ukrainën
Grossi informoi se pas kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, javën e ardhshme do të vizitojë Ukrainën për të informuar lidhur me mbështetjen që IAEA do të ofrojë në fazën e parë si dhe për të parë në vend situatën e fundit në centralin bërthamor Zaporizhzhia. Grossi tha se që nga fillimi i luftës kanë ofruar mbështetje për parandalimin e përjetimit të një katastrofe bërthamore ndërsa tani duke përdorur mundësitë e teknologjisë bërthamore do të kontribuojnë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga katastrofa e digës.
“Situata në centralin bërthamor e cila aktualisht ishte e rrezikshme u ndërlikua edhe më shumë pas goditjes së digës”, deklaroi Grossi i cili shtoi se niveli i ujit të pompuar nga kjo digë për të ftohur reaktorët në Zaporizhzhia pakësohet me 5 centimetra çdo orë dhe se niveli që ishte 17 metra para goditjes së digës ka rënë në 11.62 metra.
Kreu i IAEA-së thekson se për reaktorët mund të pompohet ujë deri kur niveli i ujit të bie në 11 metra ose edhe pak më poshtë saj dhe se nuk mund të parashikohet ende se në çfarë niveli do të ndalë niveli i ujit dhe nëse do të mund të pompohet apo jo ujë për ftohje në këtë situatë.
– Goditja e digës
Diga dhe hidrocentrali elektrik Kakhovka i kontrolluar nga Rusia që ndodhet në rajonin Kherson të Ukrainës, u godit me bomba. Për shkak të përmbytjes, rajoni u përballë me një katastrofë të madhe mjedisore, ndërkohë Ukraina dhe Rusia kanë bërë përgjegjës njëra-tjetrën për goditjen e digës. atsh