Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier tha sot se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit kryesor të saj po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ambasadori Hovenier tha se dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjnë me anën ligjore të veprimeve, por me frymën dhe e tyre dhe pasojat konkrete te komuniteti serb.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të mos veprojë në mënyrë të njëanshme, por të bashkëpunojë me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
“Kemi pritur nga Qeveria e Kosovës që të punojë ngushtë me ne për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve serbë (që jetojnë në Kosovë) sepse ata kanë të drejtë të gëzojnë kushte jetese, dinjitet e siguri si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës dhe si ta bëjmë këtë në një formë që respekton ata dhe që avancon vizionin e përbashkët për një shtet sovran, shumetnik dhe demokratik. Ky është synimi drejt të cilit po përpiqemi të punojmë bashkë dhe për këtë po kërkojmë bashkëpunim më të madh nga qeveria”, tha ai.
Duke folur mbi shpronësimin e tokave në veri, ambasadori Hovenier tha se dallimet nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me mënyrën se si po zbatohet ligji.