Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në janar numri i vizitorëve që u akomoduan në hotele dhe struktura të tjera turistike u rrit me 15,1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritja është ndikuar si nga vizitorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj.

Vizitorët rezidentë shënuan rritje prej 16,8%, ndërsa vizitorët jorezidentë u rritën me 13,8% në bazë vjetore.

Edhe netëqëndrimet në strukturat akomoduese kanë shënuar rritje. Në total ato u rritën me 9%, ku netëqëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 16,4%, ndërsa ato të vizitorëve të huaj me 4,3% krahasuar me janarin e vitit 2025.

Sa i përket origjinës së turistëve, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj që u akomoduan në vendin tonë, ose 25% e totalit vijnë nga Italia, të ndjekur nga Kosova me 14% dhe Gjermania me 6%.

Ndërkohë, vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ishin përkatësisht 5% dhe 4% e totalit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të shkallës së shfrytëzimit të strukturave akomoduese. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 15,4% në janar 2026, nga 14,5% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Shqipëria u vizitua në vitin 2025 nga 12.4 milionë të huaj