Himara International Music Festival lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar. Ky aktivitet po i jep zë muzikës përfaqësuese të kulturës shqiptare, këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore. Të tjera performanca shoqëruan mbrëmjet magjike pranë detit në jug të vendit me vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole. Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himarjot. Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak. Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene. Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The Ëorld and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës. Festivali i Himarës, “Himara International Music Festival”, do të mbyllet me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë.