Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan sot kantierin e hekurudhës Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin e Rinasit. Në këtë kantier po vijon puna për të rijetësuar e zhvilluar një sektor të rëndësishëm të transportit, i cili lidh dy prej zonave me fluksin më të lartë të lëvizjes. Një projekt madhor, pjesë e rrjetit hekurudhor europian, i cili duke nisur nga pranvera e vitit 2024 do të shkurtojë në 12 minuta distancën Tiranë-Rinas dhe në afro 22 minuta kohën e udhëtimit Tiranë-Durrës. Von der Leyen nënvizoi faktin se projekti pritet të përfundojë në fillim të vitit 2024, që do të thotë pak më shumë se një vit kohë për të gjitha punimet. Po ashtu ajo u interesua edhe mbi zhvillimin e Durrësit si qytet turistik. Kryeministri e informoi se Durrësi është i zhvilluar në mënyrën më intensive. “Nëse marrim parasysh numrin e madh të turistëve që vijnë, bëhet fjalë më tepër të themi për një lloj turizmi masiv, me një numër shumë të madh pushuesish”, shtoi ai. Ndërkohë, për hekurudhën, Rama tha se më pak kohë po kërkojnë punimet se procedurat për nisjen e projektit. “Me këtë ritëm pune, nëse marrim kohën që kanë zgjatur procedurat do të kishim ndërtuar të gjithë sistemin hekurudhor kombëtar”, tha ai. Ndërsa Balluku theksoi se projekti është i integruar, sepse ka një linjë ekzistuese shinash të hekurudhës, që dikur lidhte Tiranën dhe Durrësin, por projekti përfshin edhe pesë kilometra, që do të ndërtohen tërësisht nga e para dhe që do të lidhë Tiranën me aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe do të vijojë më tej për t’u lidhur me Durrësin. Sipas saj, “në Durrës ka shumë projekte të reja, përfshi edhe portin e ri tregtar, pasi qyteti është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe për pasojë, porti i vjetër ekzistues në qendër të qytetit tashmë e ka humbur kuptimin e tij”. “Ne po punojmë me studion arkitekturore “Royal Hasconing” për projektin e portit të ri në zonën industriale të qytetit. Kështu, lidhja me hekurudhën e re do të jetë tepër e rëndësishme. Kemi një histori sa i takon hekurudhës, pasi gjatë regjimit komunist, të gjithë e përdornin hekurudhën për të udhëtuar brenda vendit. Por pas viteve ’90-të, si shprehje e lirisë, hekurudha u harrua. Por njerëzit sot janë shumë të ndjeshëm sa i takon mjedisit, kështu që ka interes për transportin e gjelbër, siç është hekurudha, si dhe efikasitetin financiar që kjo formë transporti ofron”, tha ministrja. Balluku informoi se gjatësia e përgjithshme e hekurudhës do të jetë 39 km.https://ata.gov.al/2022/10/27/hekurudha-tirane-durres-shkurton-me-22-minuta-kohen-e-udhetimit/
Hekurudha Tiranë-Durrës shkurton me 22 minuta kohën e udhëtimit
RELATED ARTICLES