Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka hapur konkursin për Drejtor të Shkollës së Magjistraturës.
Në vendimin e marrë nga Këshilli Drejtues i Magjistraturës bëhet me dije se kandidatët duhet të plotësojnë disa kushte për të konkuruar: Të kenë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të kenë punuar si gjyqtarë ose prokurorë për jo më pak se 10 vjet ose si juristë për jo më pak se 15 vjet; të kenë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor”, ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës.
Po ashtu, kandidatët duhet të mos jenë të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Në vendim thuhet se njoftohen të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të konkurrojnë për funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, të cilët plotësojnë kushtet, që brenda datës 26 korrik 2024, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim pranë Shkollës së Magjistraturës.
Sipas vendimit, krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit duhet të bashkëngjisin jetëshkrimin e përditësuar dhe një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen. Po ashtu dhe çdo dokument që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore.
Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Shkollës së Magjistraturës dhe në dy gazeta me tirazh të lartë në vend. Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese, duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën, rruga “Ana Komnena”, Poli i Drejtësisë, Tiranë, brenda datës 26 Korrik 2024.