Kombëtarja shqiptare e vajzave do të kthehet në fushë për të zhvilluar një grumbullim 1-javor, nga datat 20 deri më 27 shkurt. Trajneri Armir Grima ka ftuar 22 lojtare për këtë impenjim të radhës me ekipin që do të grumbullohet ditën e hënë në Ulqin të Mali të Zi për t’i zhvilluar atje përgatitjet. Stafi teknik ka ftuar pjesën më të madhe të ekipit bazë, ndërsa do të ketë edhe prurje të reja qoftë nga ekipet e moshave kuqezi qoftë, por edhe disa futbolliste të reja të cilat duan të testohen me Kombëtaren dhe të tregojnë vlerat e tyre. Ky grumbullim zhvillohet me qëllimin për të parë nga afër gjendjen e skuadrës dhe futbollisteve si edhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të impenjimeve të ardhshme zyrtare. Grumbullimi 1-javor do ta ndihmojë shumë stafin teknik të kuptojë situatën në Kombëtare dhe të shohë mundësitë për të rinovuar grupin në të ardhmen me elementë të rinj cilësorë. Përveç këtij grumbullimi Kombëtarja e vajzave do të ketë mundësi në muajt në vazhdim të zhvillojë edhe ndeshje miqësore apo seleksionime me vajzat e reja për t’u dhënë mundësinë të gjitha vajzave futbolliste që aspirojnë të veshin fanellën kuqezi, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Njëkohësisht stafi teknik po punon edhe me skautët e FSHF-së nëpër botë për të piketuar futbolliste të reja shqiptare, të cilat premtojnë në perspektivë. Vitin e kaluar Kombëtarja e vajzave ishte e impenjuar në eliminatoret e Botërorit 2023, ku bëri një paraqitje të mirë duke regjistruar numrin më të madh të pikëve në një turne ndërkombëtar. Në muajin prill Shqipëria do të njihet me kundërshtaret e saj të grupit në kompeticionin e Ligës së Kombeve për vajza, me ndeshjet që do të nisin nga muaji shtator i vitit 2023 dhe do të zgjasin deri në muajin mars të vitit 2024. Në bazë të renditjes së UEFA-s, Shqipëria renditet aktualisht e 33-ta në klasifikimin e përgjithshëm dhe do të jetë pjesë e Ligës C. Më poshtë, edhe lista me emrat e përzgjedhur nga trajneri Armir Grima me emrat e 22 vajzave që që do të jenë pjesë e këtij grumbullimi: