Plazhi i Gjipesë apo siç njihet ndryshe Kanioni i Gjipesë, i cilësuar si një ndër plazhet më të bukura të rivierës shqiptare po preferohet gjithnjë e më shumë nga pushuesit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, i cili frekuentohet çdo sezon turistike nga pushues vendas e të huaj. “Gjiri i Gjipesë ku ecja përgjatë kanionit me natyrë fantastike zbulon një nga plazhet më përrallore të detit Jon”, shkruan Kumbaro. Plazhi i Gjipesë nis që nga rruga nacionale, mes fshatit Ilias dhe Jal dhe përfundon në bregdet, duke krijuar një oaz përrallor në bregun e jugut. Ky plazh të ofron mundësi gjatë ditës për t’u larë në ujin e kristaltë, për të ecur në kanionin e saj, ku herë pas here formacione të ndryshme shkëmbore krijojnë pamje mahnitëse, por është edhe vendi ideal që gjatë natës të shohësh dallgët e detit nën yjet vezullues.