Në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit u çel ekspozita me titullin “Gjermanishtja është një gjuhë shumëngjyrëshe”. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Javës Kulturore Gjermane e cila përkon edhe me eventet e Tetorit Gjerman. Në mjediset e QKLL u ekspozuan botime të Panairit të Frankfurtit. Këto botime përmbajnë krijime të viteve të fundit të publikuara në gjuhën gjermane si dhe të veprave që janë përkthyer në gjuhën shqipe. Kjo ngjarje u quajt një “ekspozitë pop-up”, që ka kuptimin e një eventi të përkohshëm, më pak formal nga ç’mund të jetë një ekspozitë në galeri apo muzeume. I pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite pop-up ishte ambasadori gjerman Karl Bergner, presidenti i Panairit të Frankfurtit, Juergen Boss, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli si dhe Pernille Starck, drejtore e projekteve ndërkombëtare në Panairin e Librit të Frankfurtit. Ambasadori Bergner u shpreh se motoja e Tetorit Gjerman, “Shumëllojshmëria jonë, forca jonë”, lidhet ngushtë edhe me titullin e ekspozitës “Gjermanishtja është një gjuhë shumëngjyrëshe”. Kjo ekspozitë vjen në prag të fillimit të Panairit të Frankfurtit, më i madhi panair libri në botë, bazuar në numrin e shtëpive botuese të përfaqësuara aty. Ai konsiderohet si panairi më i rëndësishëm në botë për lidhje marrëdhëniesh ndërkombëtare e tregtinë e librit.