Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe do ta mbështesë vendin tonë në rrugëtimin europian. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me Presidentin Bajram Begaj, pas takimit dypalësh, Steinmeier vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO. “Jo vetëm Gjermania, por edhe NATO gëzohet që ka në krah të saj një partner kaq të besueshëm sa Shqipëria. Brenda NATO-s, Shqipëria kontribuon në mënyrë të rëndësishme në mbrojtjen e krahut lindor dhe në forcimin e sigurisë rajonale, këtu në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai. Ai siguroi për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, teksa vlerësoi rolin e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit. “Kam respektin maksimal të angazhimit si anëtare e Këshillit të Sigurimit, brenda OKB-së, në një periudhë jo të lehtë. Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë prej fillimit në përafrimin me BE-në dhe ka kontribuar brenda mundësive të saj në përforcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre. Për mua ishte shumë e rëndësishme të udhëtoja sa më shpejt të ishte e mundur pas nisjes së bisedimeve drejt Shqipëri dhe ju premtoj se në kontekstin e reformave në procesin e anëtarësimit do të vijojmë t’ju mbështesim. Dhe një hap mjaft i rëndësishëm është kryer më 19 korrik me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të bëhet edhe pjesë e BE-së edhe në dimensionin formal të tij”, deklaroi presidenti gjerman. Sipas Steinmeier, rruga drejt konferencës së parë ndërqeveritare ishte lidhur me përpjekje të konsiderueshme, të cilat, tha ai, nga ana tjetër kanë sjellë edhe hapa përpara. “Ku progres reflektohet edhe në Paketën e Zgjerimit 2022 të KE-së“, u shpreh ai. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai vlerësoi rolin e të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. “Çdo kontribut që sjell uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Respekt për kolegun e mikun tim, Lajçak, që e ka shndërruar në mision të tij normalizimin e dialogut”, tha Steinmeier.https://ata.gov.al/2022/12/01/steinmeier-gjermania-ne-krah-te-shqiperise-ne-procesin-e-anetaresimit/
Gjermania në krah të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit
RELATED ARTICLES