Gjermania vendosi sot t’i dërgojë Ukrainës 14 tanke të tipit ”Leopard 2”. Tanku i rëndë ”Leopard 2”, të cilin Ukraina e kërkon prej muajsh prej Gjermanisë dhe Perëndimit, është një armë me famë botërore, që ka të ngjarë të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës. – Përparësi të shumta – I projektuar nga prodhuesi gjerman ”Krauss-Maffei” dhe i ndërtuar në seri nga fundi i viteve ’70 për të zëvendësuar tanket amerikane ”M48 Patton” dhe më pas tankun ”Leopard 1”, ”Leopard 2” kombinon fuqinë e zjarrit, lëvizshmërinë dhe mbrojtjen. Ky tank luftarak prej rreth 60 tonësh, nga të cilët rreth 3 500 kanë dalë nga linja e prodhimit, është i pajisur me një top të kalibrit 120 milimetra, që e lejon atë të luftojë armikun gjatë lëvizjes, falë fuqisë së tij prej 1 500 kuajsh fuqi, deri në 70 km/h, me një distancë prej 450 kilometrash. Ai është gjithashtu i pajisur, sipas prodhuesit, me mbrojtje pasive integrale efektive kundër minave dhe raketave. Ekuipazhi i tij prej katër anëtarësh përfiton gjithashtu nga mjetet teknologjike për të lokalizuar dhe synuar armikun në rreze të gjatë. – Disponueshmëri e gjerë në Evropë – Një tjetër avantazh i madh është që ”Leopard” është i përhapur në kontinent duke lehtësuar kështu aksesin në municione dhe pjesë këmbimi dhe duke thjeshtuar mirëmbajtjen, gjë që është kërkuese për këtë lloj pajisjeje. Katër modelet e fundit deri më sot janë ende në përdorim, nga 2A4, nga të cilat Polonia ofron të dorëzojë 14 copë në Kiev, deri te 2A7, me të cilin Berlini nuk është i gatshëm të ndahet, duke preferuar ta mbajë atë, si Franca me tankun e saj ”Leclerc” për të siguruar mbrojtjen. Finlanda, e pajisur me më shumë se 200 të tillë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), është gjithashtu e gatshme të pajisë ushtrinë ukrainase. Sipas shtypit gjerman, një pjesë e vogël e vendeve të tjera evropiane, të pa përmendura, do të ishin gjithashtu të gatshme të merrnin pjesë në këtë përpjekje. Greqia me 350 tanke dhe Turqia që i përdori kundër forcave kurde në veri të Sirisë, janë vendet me më shumë kopje të modelit 2A4. – Ndikim i rëndësishëmnë fushën e betejës – Nëse Kievi mund të merrte 100 tanke të tillë, efekti do të ishte i rëndësishëm në fushën e betejës kundër rusëve, vlerëson IISS. E pajisur me ”Leopard 2”, një ushtri mund të thyejë linjat e armikut dhe t’i japë fund një lufte të gjatë në llogore, shkruan ”Bild”. “Me Leopardin, ushtarët mund të përparojnë disa dhjetëra kilometra në të njëjtën kohë”, thekson gazeta. ATSH