Udhëheqësit e G20-ës arritën të bien dakord për një deklaratë të përbashkët gjatë samitit, e cila mbron integritetin territorial të të gjitha vendeve. Kompromisi shënoi një “fitore të vogël” për kryeministrin indian Narendra Modi, i cili po mirëpret takimin dyditor të vendeve kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim, në Nju Delhi. Përpara samitit, presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping thanë se nuk do të ishin pjesëmarrës në takim, duke i dhënë një goditje legjitimitetit të ngjarjes vjetore diplomatike. Negociatorët kishin raportuar vështirësi në gjetjen e konsensusit të mjaftueshëm mes vendeve të G20, për të nxjerrë një deklaratë tradicionale të samitit, duke përshkruar fushat e politikave me interes dhe drejtimin për aktivitetet e forumit. Aleatët perëndimorë të Ukrainës, negociuan për nevojën që të gjitha shtetet të përmbahen nga sulmet ndaj integritetit territorial ose pavarësisë politike të shteteve të tjera. Përveç kësaj, kërcënimet e Rusisë me armë bërthamore u kritikuan në mënyrë indirekte. “Në përputhje me Kartën e OKB-së, të gjitha shtetet duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës për të kërkuar përvetësim territorial kundër integritetit territorial dhe sovranitetit ose pavarësisë politike të çdo shteti. Përdorimi ose kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Udhëheqësit kërkuan gjithashtu rifillimin e “Nismës së Grurit të Detit të Zi”, pasi Rusia e pezulloi atë. Marrëveshja mundësoi eksportet e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore nga portet e bllokuara të Ukrainës. Marrëveshja shihet si thelbësore për të adresuar pasigurinë globale të ushqimit dhe për të frenuar çmimet e grurit. Në mënyrë thelbësore për Kremlinin, në dokument përmenden kërkesat e Moskës për një lehtësim të sanksioneve perëndimore dhe shpërndarjen e menjëhershme dhe të papenguar të produkteve ushqimore dhe plehrave kimike nga Rusia. Moska pezulloi marrëveshjen e grurit në korrik, duke thënë se nuk ishte e kënaqur me mënyrën se si po zbatohej pakti i ndërmjetësuar nga OKB-ja. Moska kërkon të hiqen pengesat për eksportet e produkteve ushqimore të Rusisë në këmbim të bashkëpunimit të mëtejshëm, dhe një lehtësim të sanksioneve perëndimore ndaj pagesave, logjistikës dhe sigurimit të transportit. Samiti u hap sot me njoftimin se Bashkimi Afrikan do t’i bashkohej G20 si një anëtar i përhershëm. “Në marrëveshje me të gjithë ju, unë do të doja të ftoja kryetarin e Bashkimit Afrikan të zërë vendin e tij si një anëtar i përhershëm i G20”, tha Modi në seancën e parë të samitit. Presidenti i Komoros, Azali Assoumani, kryetari aktual i Bashkimit Afrikan, iu afrua Modit dhe e përqafoi. Deri më sot, Bashkimit Afrikan prej 55 anëtarësh ka marrë pjesë në samitet e G20 vetëm si mysafir.
G20 deklaratë të përbashkët për mbrojtjen e integritetit territorial
RELATED ARTICLES