Në vendin tonë nisi sot trajnimi i 116 mësuesve të edukimit fizik në shkollat e përzgjedhura në fazën e parë të programit “Futbolli për Shkollat”, që po realizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe FIFA. Nga Polonia, ku ndodhet për të mbështetur 11 sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Evropiane, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përshëndeti nisjen e këtij trajnimi. Përmes një videomesazhi në rrjete sociale ministrja Kushi thekson se ky bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me Federatën Shqiptare të Futbollit, të mbështetur nga FIFA, ka si qëllim identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, por edhe mbështetjen e familjeve shqiptare që t’i angazhojnë fëmijët me sport për një jetë të shëndetshme. “Ju uroj shumë suksese për këtë trajnim dhe dua të shpreh mbështetjen e MAS, për mbarëvajtjen e trajnimit, por mbi të gjitha për zbatimin sa më të suksesshëm të programit vitin e ardhshëm shkollor. Futbolli është sporti më i dashur e popullor kudo në botë, dhe unë e kam parë nga afër edhe pasionin dhe vullnetin e nxënësve tanë. Por dua të theksoj që programi zhvillon jo vetëm futbollin në aktivitetet jashtëshkollore, por gjithashtu nxit edhe shume vlera të rëndësishme tek ata, krijon besim në vetvete dhe disiplinë, rrit bashkëveprimin social, përmirëson performancën e nxënësve në procesin e të mësuarit, promovon gjithë përfshirjen dhe mundësitë e barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e vajzave, por edhe nxënësve me aftësi ndryshe”, theksoi Kushi Kushi falënderoi bashkëpunëtorët në këtë program shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Dëshiroj të falënderoj FIFA dhe veçanërisht presidentin Infantino, i cili u angazhua vetë personalisht në këtë projekt. Shumë faleminderit për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin Duka, me të cilin në janar nënshkruam marrëveshjen për këtë program dhe sot, ja ku jemi së bashku për të vënë në jetë qëllimet dhe për të gëzuar sa më shpejt rezultatet konkrete, identifikimin e talenteve, por pa dyshim edhe mbështetjen për familjet shqiptare që duan të angazhojnë sa më shumë fëmijët e tyre në aktivitete sportive”, tha Kushi. Tre përfaqësues të FIFA-s kanë mbërritur tashmë në Tiranë për të zhvilluar këtë seminar 3 ditor me 116 mësuesit e edukimit fizik. Në këtë seminar, përfaqësuesit e FIFA-s do të diskutojnë tema të ndryshme dhe do të prezantohet aplikacioni i këtij programi. Ndërkohë këta mësues do të zhvillojnë edhe pjesën praktike të trajnimit me rreth 200 fëmijë. atsh