Vitet e fundit, një oaz turistik i vogël në afërsi të Elbasanit ka ngritur profilin e tij në radhët e destinacioneve më të dëshirueshme për turistët vendas dhe ndërkombëtarë. Funari, ky vend i mrekullueshëm, ka arritur të bëhet një destinacion i dëshiruar për të gjithë ata që janë të pasionuar për aventurën dhe bukuritë natyrore. Një nga faktorët kyç që ka ndihmuar në rritjen e popullaritetit të tij është festa për këtë zonë, që njihet edhe si dita e promovimit të turizmit. Në thellësinë e maleve të mahnitshme dhe nën hijen e pyjeve të dendura, ndodhet Funari, një oaz turistik shumëngjyrësh. Në këtë parajsë të fshehur, ku gërshetohen bukuritë e natyrës, me liqenet, trashëgiminë kulturore dhe me hapësirën e saj të mahnitshme, turistët kanë mundësi të zbulojnë një sërë aventurash. Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. Pikërisht sot, Funari është mbushur plot me vizitorë, vendas dhe të huaj, duke iu bashkuar thirrjes së bashkisë së Elbasanit, e cila këtë ditë e ka shpallur festë zyrtare, me qëllim promovimin e vlerave natyrore, dhe trashëgimisë së kësaj zone.
Piknik, muzikë live, koncert, sporte të aventurës, panairi i gatimeve tradicionale të zonës, si dhe argëtim, është qëllimi i kësaj dite, ku sipas kryebashkiakut Gledian Llatja festa të tilla vlejnë për të promovuar vlerat natyrore dhe zbuluar resurset e kësaj zone të mrekullueshme. Nga maja e Korrës, janë rreth 70 kilometra shtigje që po hapen për këmbësorët, për të apasionuarit e sportit, për mjetet, si edhe biçikletat. Gjithçka, nga peizazhet natyrore deri tek aktivitetet e aventurës si parashutizmi dhe ecja në mal, bëjnë që Funari të jetë një destinacion i dëshirueshëm për ata që duan të shijojnë natyrën dhe aventurën. Në veçanti, iniciativat e bashkisë Elbasan për zhvillimin e infrastrukturës turistike, si pistat e parashutizmit, shtigjet malore, kajakë në liqen, çiklizëm malor, offroad 4×4, tregojnë një përkushtim të vërtetë për të tërhequr më shumë turistë dhe të pasionuar pas sporteve. Ka një reliev dhe klimë të përshtatshme, për zhvillimin e turizmit në të 4- stinët e vitit, pa lënë mënjanë edhe gatimet tradicionale të amvisave të kësaj zone.