Brigjet piktoreske të fshatit Kaludh në bashkinë e Përmetit, tashmë lidhen me urën e re të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore.
Investimet e ndërmarra vitet e fundit në infrastrukturë, kanë zgjeruar përfshirjen e zonave rurale në hartën turistike të vendit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky investim, teksa informoi se, ndërtimi i urës mbi lumin Vjosë, në Kaludh të Përmetit, është financuar nga qeveria shqiptare.
Ura lidh disa fshatra të bukur të kësaj zone me njëri-tjetrin, duke mundësuar jo vetëm përfshirjen e këtyre fshatrave në hartën e Përmetit turistik, por edhe në lehtësimin e jetës së vetë banorëve.
Ky investim është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, ndërsa shumë projekte të reja janë realizuar në ujësjellës e rrugë rurale, në fshatrat e qarkut të Gjirokastrës për të përmirësuar infrastrukturën e fshatrave në një qark shumë të shtrirë e të thepisur që sot është mjaft i frekuentuar edhe nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.