Tirana mirëpret Forumin e Shëndetit dhe Mirëqenies për Rininë, organizuar si një bashkëpunim i Zyrës Rajonale për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Rinisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkisë Tiranë. Në sesionin hapës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu angazhimin për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje, në të gjitha nivelet. “Ky forum është një mundësi fantastike për të bërë bashkë kaq shumë të rinj dhe specialistë të shëndetit publik nga i gjithë Rajoni Evropian i OBSH-së, për të krijuar rrjete dhe bashkëpunime, për të biseduar mbi pasojat e pandemisë së COVID-19 si edhe mbi aspekte të tjera të shëndetit dhe mirëqenies që prekin brezin e ri”, tha Manastirliu. Duke folur për pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor edhe të të rinjve, Manastirliu tha se Shqipëria po realizon integrimin e shërbimeve socio-shëndetësore. “Për herë të parë në Shqipëri kemi integruar shërbimet e kujdesit social, me ato të kujdesit shëndetësor, përmes zbatimit të modeleve të avancuara evropiane. Ky është thelbi i Strategjisë sonë të Re për kujdesin shëndetësor parësor. Me dhjetëra psikologë të rinj po u bashkohen qendrave shëndetësore anembanë Shqipërisë. Ky program i ri do të garantojë që djem e vajza, burra e gra të ketë akses në shërbime gjithëpërfshirëse, duke mbështetur vizionin tonë për një Shqipëri ku askush nuk lihet mënjanë, me objektivin final të garantimit të mbulimit shëndetësor universal”, tha Manastirliu para të rinjve. Duke folur për sfidat e kohës, që nga lajmet e rreme për vaksinat; shëndeti mendor te shëndeti riprodhues dhe të drejtat që lidhen me të, deri te shëndeti digjital, Manastirliu bëri me dije se Shqipëria po zbaton një program për përmirësimin e aftësive digjitale të fëmijëve dhe të rinjve. “Sot, axhenda digjitale po kërkon të integrojë, të sjellë ndryshim e mundësi të reja për shtetasit tanë, e për më shumë për të rinjtë tanë. Me iniciativën e Kryeministrit tonë, Edi Rama, qeveria po punon për zbatimin e një programi kombëtar për përmirësimin e aftësive digjitale të fëmijëve dhe të rinjve përmes ngritjes së laboratorëve të teknologjisë në shkolla dhe përmes mbështetjes së programeve të para të vogla për mëkëmbjen e të rinjve. Investimi për rininë është investim te e ardhmja”, tha Manastirliu. Forumi për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve po zhvillon punimet e tij në Tiranë nga data 25-27 tetor, i cili mbledh bashkë qindra të rinj nga 42 vende të botës, së bashku me qeverinë dhe partnerët e shoqërisë civile, për t’u angazhuar në dialog të vërtetë, për të krijuar besim dhe për të gjetur mënyra më të mira për të përfshirë të rinjtë në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre. Në Forum merr pjesë edhe drejtori i OBSH për Europën, dr. Hans Kluge.http://ata.gov.al/2022/10/25/forumi-rajonal-i-obsh-per-shendetin-e-te-rinjve-ne-tirane/
Forumi Rajonal i OBSH për shëndetin e të rinjve në Tiranë
RELATED ARTICLES