Qeveria e re u formua në një klimë pasigurie që filloi me atentatin ndaj Ahmet Zogut në Parlament dhe kulmoi me vrasjen e Avni Rustemit. Në ceremenoninë mortore të Avni Rustemit, në Vlorë, anëtarët e shoqërisë “Bashkimi” së bashku me krahun politik që kundërshtonte qeverinë nisën një lëvizje kundër kësaj të fundit me mbështetjen dhe të forcave ushtarake vendase. Protagonistë të kësaj lëvizjeje ishin Bajram Curri, Luigj Gurakuqi dhe Stavro Vinjau. Ky grupim bënte përgjegjës qeverinë që nuk po ndërmerrte hapat e nevojshëm për evidentimin e vrasësve të Avni Rustemit. Në të njëjtë kohë, ata kërkonin arrestimin e Ceno bej Kryeziut, pasi mendohej se ai sponsorizohej nga pala serbe.
Gurakuqi, Vinjau, si edhe Sulejman Delvina, Kasem Qafëzezi, Rexhep Shala e Qazim Koculi do të merrnin poste ministrore në qeverinë e re. Më 19 qershor, ky ekzekutiv do të shpallte programin e tij prej 20 pikash, që synonte modernizimin dhe demokratizimin e vendit.
Ndër pikat kryesore të programit ishin: buxheti, kushtet e jetesës, përmirësimi i kushteve të punës, lehtësimi i kapitalit të huaj si dhe arsimi. Programi u cilësua si i nxituar për një vend pa traditë parlamentare dhe nuk gjeti zbatim, duke sjellë përmbysjen e ekzekutivit pas 6 muajsh më 24 dhjetor 1924.





