Bum turistësh në Favignana falë efektit “Odisea”

Në vitet e fundit, Sicilia është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara ndërkombëtare, jo vetëm falë plazheve të saj mahnitëse, fshatrave mesjetare dhe kuzhinës së famshme, por edhe falë ngjarjeve të mëdha që e kanë vendosur në qendër të vëmendjes.

Një shembull është dasma e fundit e Dua Lipës me Callum Turner, festimet e së cilës u zhvilluan mes Palermos dhe Bagherias, duke gjeneruar sipas disa vlerësimeve një ndikim ekonomik prej rreth 268 milionë eurosh.

Një tjetër rast është seriali amerikan “The White Lotus”, i cili në sezonin e dytë u xhirua në Taormina dhe solli të ardhura rreth 138 milionë euro.

Tani radha i ka ardhur Favignanas, ishullit të mrekullueshëm sicilian që bën pjesë në arkipelagun Egadi. Gjithmonë i konsideruar një nga destinacionet më të bukura të verës italiane, sot ai ka një avantazh të ri falë filmit “Odisea”, vepra më e fundit e Christopher Nolan.

Filmi ka sjellë në Itali një kast të jashtëzakonshëm aktorësh, mes të cilëve Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Zendaya dhe Charlize Theron.

Vlerësimet e para të sektorit flasin për shifra shumë të larta: në tre vitet e ardhshme ishulli pritet të fitojë mbi 250 milionë euro, ndërsa në pesë vite mund të arrijë deri në 500 milionë euro.

Interesi i turistëve për Favignanan është në kulmin e tij, pasi filmi sapo ka dalë në kinematë e botës.

“Që pas publikimit të trailerit, shumë njerëz kanë planifikuar pushimet e tyre vetëm duke u bazuar te filmi. Duhet të jemi të përgatitur”, ka deklaruar Giacomo Incardona, president i shoqatës së hoteleve dhe turizmit të Egadit.

Duke shfrytëzuar këtë periudhë të favorshme, kryetari i bashkisë Giuseppe Pagoto po punon për zhvillimin e zonës: synohet rikuperimi i shtigjeve që çojnë drejt kështjellës Santa Caterina, një prej vendeve simbol të filmit, si dhe krijimi i një itinerari të përhershëm kushtuar “Odiseas”, që do të përfshijë edhe ish-fabrikën Florio, duke kombinuar turizmin kinematografik me ofertën kulturore.