Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi kalendarin e shfaqjeve të filmave në Kinemanë Verore, kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit, si dhe aplikacionin e ri të rezervimit të biletave, ku hyrja është falas. Në kinemanë verore të DPA-së do të mbahen edhe shfaqje teatrore dhe filma artistikë të Universitetit të Arteve (UA), që do të mund të rezervohen përmes këtij aplikacioni. Duke filluar nga data 24 qershor, Kinemaja Verore pranë DPA-së do të nisë një sezon të ngjeshur artistik me shfaqjen e realizimeve filmike, që risjellin kushtrimin e dëshmorëve të atdheut. Përmes kësaj nisme, DPA-ja përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm: janë pikërisht të rinjtë dhe të rejat ata që kanë dalë në mbrojtje të atdheut, kur liria e tij ka qenë e rrezikuar. Falë tyre, gëzojmë sot një vend të pavarur, që e drejtojnë vetë shqiptarët. Kinemaja verore ka një kapacitet prej 140 ulësesh, ku do të shfaqen 10 filma, për ndjekjen e secilit prej tyre, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin e ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.arkiva.gov.al Kjo nismë, që gëzon bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), vjen në vazhdën e synimit të DPA-së për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën, nëpërmjet formave bashkëkohore.
Në repertorin e përzgjedhur, bëjnë pjesë filmat:
“Gjeneral Gramafoni”, më 24 qershor, ora 20:00;
“Lulëkuqe mbi mure”, më 16 korrik, ora 20:00;
“Partizani i vogël Velo”, më 25 korrik, ora 20:00;
“Mëngjese lufte”, më 14 gusht, ora 20:00;
“Yjet e netëve të gjata”, më 29 gusht, ora 20:00;
“Njeriu me top”, më 11 shtator, ora 20:00;
“Nusja dhe shtetrrethimi”, më 24 shtator, ora 18:00;
“Malet me blerim mbuluar”, më 8 tetor, ora 18:00;
“I teti në bronz”, më 28 tetor, ora 18:00;
“Kthimi i ushtrisë së vdekur”, më 11 nëntor, ora 18:00.