Ministria e Punëve të Brendshme ka lançuar fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”. Qëllimi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes kolektive dhe parandalimit të përdorimit të armëve në mjedise joligjore. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani derisa ka theksuar misionin e këtij institucioni është zotuar se do të avancojnë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Policia e Kosovës është duke bërë punë profesionale në këtë drejtim, derisa ka apeluar gjithë qytetarët të respektojnë ligjin. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Annemarie Douwes ka thënë se është me rendësi të madhe të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve për të parandaluar këtë dukuri negative. Derisa ka theksuar mbështetjen e BE-së në këtë drejtim. Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi, ka nënvizuar se janë duke punuar në këtë drejtim për të ndaluar përdorimin e armëve në ambiente jo ligjore, derisa ka treguar edhe numrin e konfisikimit të armëve që janë përdorur në mënyrë të jashtëligjshme. MPB ka apeluar gjithë qytetarët t’i shmangen përdorimit të armëve të zjarrit gjatë festave familjare me qëllim të parandalimit të fatkeqësive. E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj.