Bashkia Kolonjë ndau në rrjetet sociale fotografi nga ky aktivitet, në të cilin me dhjetëra grupe performuan nën rrapin shekullor.

Leskoviku i traditës, i sazeve, i instrumenteve popullore do të mirëpresë dhe sot në natën e dytë instrumentistë e këngëtarë virtuozë për të kulmuar mbrëmjen e 1 tetorit, në qendër të qytetit të Ersekës

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, shkroi në faqen e tij online: “Për dy netë rresht ky festival frymon në djepin ku mori jetë, Leskovikun e traditës, për të kulmuar natën e tretë në Ersekë”.

Grupet muzikore nga qytete të ndryshme të Shqipërisë sollën meloditë autentike popullore përmes instrumenteve tradicionale, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore të vendit.

Ky festival, i kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme, tërheq vëmendjen jo vetëm të banorëve vendas, por edhe vizitorëve të shumtë, duke ofruar një përvojë unike të muzikës dhe kulturës shqiptare.