Për dy ditë me radhë në Kalanë e Bashtovës do të zhvillohet një festë organizuar nga projekti EU4Culture i financuar nga Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. “Le të festojmë së bashku magjinë e Kalasë së Bashtovës”, thuhet në njoftimin e EU4Culture, në rrjetet sociale, ku bëhet e ditur se festa zhvillohet sot dhe nesër, 8-9 shtator, nga ora 18:00 deri në 23:00. Festivali i Bashtovës eksploron kulturën e pasur të Kavajës dhe Rrogozhinës përmes performancave të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, aventurave në natyrë, dhe një panairi artizanësh e prodhimesh vendase. Kalaja e Bashtovës ndodhet rreth 2 km larg fshatit Vilë-Bashtovë në afërsi të lumit Shkumbin. Kalaja u ndërtua në shekullin e 15-të dhe shërbeu si një objekt tregtimi për tregtarët venecianë dhe si një fortesë për të larguar pushtuesit osmanë. Pozicioni i saj strategjik i lejoi luftëtarët mesjetarë të kontrollonin një zonë shumë të madhe të Adriatikut në perëndim dhe njëkohësisht, fushën në lindje.