Librazhdi është një ndër prodhuesit kryesor dhe më cilësor të mjaltit në vendin tonë. Në këtë zonë gjenden mbi 6 mijë koshere bletësh ku pothuajse të gjithë fermerët e Librazhdit vazhdojnë traditën familjare në prodhimin e mjaltit. Bashkia e Librazhdit nën logon “Eja ëmbëlsohu me mjaltë” çeli sot në qendrën e qytetit aktivitetin “Festën e Mjaltit”, që mblodhi bashkë rreth 150 fermerë, të cilët ekspozuan jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës. “Festa e Mjaltit” në Librazhd lindi si ide përpara 5 vitesh. Vetë fermerët në bashkinë e Librazhdit, të cilët prej vitesh merren me prodhimin e mjaltit u angazhuan të bënin një festë ndryshe, për të promovuar produktet më tipike të Librazhdit. Pjesa më e madhe e fermerëve janë prodhues të mjaltit, por nuk mungojnë as produktet e tjera si arrat, lajthitë, bulmeti, etj. Tradita vazhdon dhe vit pas viti numri i vizitorëve dhe fermerëve rritet në këto festa lokale që janë kthyer në atraksione të veçanta për zhvillimin e komuniteteve rurale. Mjalti është një nga produktet më mira që bashkia Librazhd prodhon për shkak të terrenit. Teksa dallojnë disa varietete që prodhohen në këtë zonë, dhe kjo ka ndikuar edhe për të promovuar edhe produkte të tjera që prodhohen në Librazhd, siç janë patatet e Stërblevës, produktet e bulmetit, etj. Festa e mjaltit vijoi edhe me një program artistik, ku spikatën këngët dhe muzika e folkut të Shqipërisë së Mesme. Për ekspertët e MBZHR, iniciativa të tilla, shërbejnë si një orientim për banorët e zonës drejt zhvillimit të agro-biznesit, pa harruar se një rëndësi të madhe ka edhe mbështetja e Qeverisë për kultivuesit e bletës përmes skemave të AZHBR-së, e cila ka bërë të mundur rritjen e interesimit të banorëve për këtë kulturë.https://ata.gov.al/2022/09/24/festa-e-mjaltit-ne-librazhd-bashkon-150-fermere-te-zones/