Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një ilaç të ri që duket se ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit. FDA njoftoi se ilaçi, i quajtur Leqembi, do t’u jepet pacientëve me faza të lehta ose të hershme të sëmundjes. Ilaçi, i miratuar nga FDA për përdorim, është i pari i këtij lloji që ka shfaqur shenja të ngadalësimit të përkeqësimit të kujtesës dhe të të menduarit. Por, ekspertët mendojnë se vonimi i përkeqësimit kognitiv zgjat vetëm disa muaj. “Ky ilaç nuk është një kurë. Ai nuk parandalon përkeqësimin e gjendjes së pacientit, por thjesht ngadalëson në mënyrë të matshme përparimin e sëmundjes”, tha për NBC neurologu Joy Snider nga Universiteti i Uashingtonit. Nga ana tjetër, ekspertët tërheqin vëmendjen për efektet anësore që ilaçi mund të shkaktojë, si edema cerebrale ose paraqitja e nevojës për trajtim me infuzion dy herë në muaj. Siç njoftohet, trajtimi njëvjeçar i Alzheimerit me Leqembi, i prodhuar nga firma japoneze ”Eisai” dhe partneri amerikan ”Biogen”, do të kushtojë afërsisht 26 500 dollarë. Vlerësohet se në SHBA ka gjashtë milionë pacientë me Alzheimer. ATA
FDA miraton ilaçin që ngadalëson Alzheimerin
RELATED ARTICLES