Ish-trajneri i ”Galatasaray”, turku Fatih Terim, do t’i bashkohet ”Panathinaikos”-it, njoftoi klubi grek dje në mbrëmje. ”Trajneri më i mirë turk e mori menjëherë skuadrën”, njoftoi klubi athinjot, i cili është i dyti në kampionat pas PAOK-ut të Selanikut dhe nuk është kurorëzuar kampion që prej 13 vitesh. Sipas medias turke, Terim, i mbiquajtur ”Imperatori” pasi ka fituar 16 trofe me ”Galatasaray”-in, do të nënshkruajë me bardheblutë për një vit e gjysmë. Në moshën 70-vjeçare, ai nuk kishte trajnuar për gati dy vjet dhe u largua nga klubi i Stambollit në janar 2022 pas një sezoni zhgënjyes. Ky ishte qëndrimi i tij i katërt me kuqezinjtë e ”Galatasaray”-t që nga viti 1996. Terim bëhet trajneri i parë turk që merr frenat e një klubi futbolli grek, pak javë pas takimit të pajtimit mes presidentit turk Recep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Në basketboll, ”Panathinaikos” tashmë prej prillit drejtohet nga një tjetër turk, Engin Ataman. Në krye të ”Luanëve” të Stambollit, Fatih Terim fitoi tetë herë kampionatin turk dhe mbi të gjitha fitoi Kupën UEFA kundër Arsenalit në vitin 2000, e vetmja e fituar nga një ekip turk. Terim njihet edhe në Itali, kur ai drejtoi ”Fiorentinën” dhe ”Milan”-in, në fillim të viteve 2000
